Partizani, pjestari më i urryer i Kategorisë Superiore, duket se së fundi është braktisur edhe nga fati. Për drejtuesit e Federatës Shqiptare të futbollit, skuadra e kuqe prej kohësh nuk është më legjendë, por thjeshtë një mallkim, që për fat të keq vazhdon të marrë frymë në garën e Dukës. Ndërkohë që prapësitë duket se e kanë kërrusur skuadrën, e cila gjatë javës jeton me anthin, se mund t’i dënojnë dikë, në ndonjë mbledhje mbrëmje, me drita fikur. Ndërsa në Korçë, në një ndeshje të klasifikuar pozitive dhe ku arbitri nuk u përzje shumë, mendoi Gojkoviç, i cili me një saktësi unike e dërgoi topin në portën e tij.
Pas 90 minutëshit të fundit, trajneri i miqëve e cilësoi këtë një vit të mbrapsht, por në fakt janë copa nga dy vite të ndryshme, periudhat që nuk ia vlejnë më as të kujtohen. Ajo që ra më shumë në sy në fillim të transfertës ndaj Skënderbeut ishte pikërisht kthimi në pankinë i Starovës, të dënuar me dorë të hekurt nga Komisioni i Disiplinës së FSHF-së, por në një farë mënyre edhe nga vetë klubi i tij, që nuk pranoi t’ia paguante gjysmën e mbetur të dënimit. Dhe nëse flitet për një prapësi në kurriz të Partizanit, padyshim që Starova është një nga viktimat më të mëdha. Gjatë kërij sezoni është sigurisht tekniku më i ndëshkuar, me 10 ndeshje pezullim, dy pas një takimi në Kukës, në 23 nëntor të vitit të shkuar dhe tetë pas Flamurtarit. Ndërsa të shtunën mundi të ulej në stol, vetëm se duhej paguar dënimi i Trashit dhe Bathës dhe kështu një rrugë e dy punë, shpëtoi edhe ai që stërvit gjatë të gjithë javës skuadrën. Starova u thirr për të disatën herë, për të vënë rregull pas largimit të Iulianos dhe në një farë mënyre arriti të sistemojë atë ç’ka kishte mbetur nga Partizani i gushtit, ndërkohë që duket se është e pamundur të qetësohet më humori i ambjentit, madje edhe nga një specialist si ai. Trajneri reagoi në mënyrë anormale ndaj arbitrit Enea Jorgji, i prishur nga nervat, pikërisht për shkak të padrejtësive sistematike që po i bëhen ekipit, ndërsa titullarët e klubit e pranojnë se po vidhen, por injorojnë Sulën.