Tashmë, pothuajse gjithçka ka filluar të rrotullohet rreth stadiumit të ri në qendër të Tiranës, një objekt i rindërtuar për disa qëllime, por për të pasur lidhje periferike me futbollin. Fillimisht, në kulmin e ekstazës, u cilësua një vepër gjeniale dhe për një të përafërt Europës as që i kishte shkuar ende në mendje, ndërsa për të qenë pjesë e afërt e tij, nxituan të suleshin për t’u ndodhur sa më afër, të gjithë njerëzit e politikës dhe sportit. Duke filluar nga më influentët dhe pasuar nga më modestët në shkallët strikte të hierarkisë. Dhe në fund ishte ndeshja me Francën, kur të gjithë ata që “Qemal Stafën” e vjetër e konsideruan një relike pa vlerë, u rehatuan në tribunën VIP të stadiumit të sapo-inauguruar dhe fotografonin veten, pa vërë re as faktin, që pikërisht nga nxitimi i tyre po shkatërrohej bari i brishtë i fushës, e vetmja gjë sportive e atij impianti multifunksional.
Ndërsa tani kohët kanë ndryshuar, pasi edhe klima politike nuk është aq e favoshme, sa për të mbajtur të pandryshuar dashurinë e personazheve të stadiumit. Në prag të ndeshjes me Anglinë, presidenti Duka i futbollit ka zgjedhur një tjetër mënyrë komunikimi me kryeministrin Rama të vendit. Një herë në 2-3 ditë i shruan letra, këtë rradhë jo dashurie, duke i kujtuar që po na afron një ngjarje kulmore sportive dhe duhet t’i urdhërojë ekspertët e tij hapjen e stadiumit për publikun, qoftë edhe pjesërisht. Në fakt këto janë letra, të cilave edhe ai që i shkruan ia di përgjigjen paraprakisht, por meqenëse janë publike po përdoren si asist në derën e qeverisë, për të treguar me gisht se kush është ai që i pengon njerëzit për ta përcjellë nga afër këtë eviniment.
Ndërkohë që me afrimin e ditës së ndeshjes, duhet thënë se edhe lufta e deklaratave është intensifikuar. Sipas FSHF-së, organet shtetërore po komplotojnë aq shumë për ta penguar zhvillimi e kësaj ndeshje, saqë edhe policia e shtetit ka vendosur të mos e marrë përsipër sigurimin e mbarëvajtjes së saj. Kuptohet që kjo e fundit e hodhi poshtë këtë pretendim, si një shpikje dashakeqe të dikujt, ndërsa ne të tjerëve çdo ditë të na ofrohet po ky lloj futbolli tjetër, pa rregulla dhe pa moral. Stadiumi me emrin e kompanisë ajrore që pos jell vaksinat është kthyer në një shesh beteje për territor, ndërsa drejtuesve të futbollit, siç nuk ka ndodhur më parë, nuk ju interesonkan më personazhet VIP të politikës, por njerëzit e shkallëve… Ja kjo është fabula e ndeshjes me ato letrat që kanë ndërruar ngjyrën.