Sot që të gjithë kemi “vrarë” fatëkeqin Duamena

Ishte vetëm 28-vjeç sulmuesi më i mirë i Kategorisë Superiore, Rafael Duamena i cili mbylli sytë për herë të fundit në spitalin e Kavajës ku u transportua për të marrë ndihmën mjekësore pasi u rrëzua në fushën e lojës së stadiumit të Rrogozhinës. Bomberi afrikan jo ratësisht kishte përfunduar në futbollin tonë pasi cilësitë e tij ishin të jashtëzakonshme dhe ai konsiderohej një nga sulmuesit më të mirë që i kishte rastisur futbollit shqiptar në shumë vite, por pas gjithë kësaj historie fshihej një e vërtetë e hidhur që sqaron të gjitha pikëpyetjet e këtij rasti. Duamena vuante nga problemet në zemër dhe për këtë ishin në dijeni klubi, FSHF e madje edhe gazetarët e mediat që sot nxitojnë të bëjnë ngushëllimet e rastit.

Fatëkeqi Duamena i dha lamtumirën kësaj bote në vendin ku thyhet çdo ligj fizike. Ku e pranojnë një lojtar më probleme në zemër që të luajë futboll profesionist? Vetëm në Shqipëri ku FSHF krenohet me investimet fasadë por nuk kujdeset për jetën e njerëzve. Rastësi? Aspak! Ju lujtohet sulmuesi amerikan me origjinë nigeriane, Nuabueze? Përfundoi edhe ai në Shqipëri tre vite më parë, te Laçi, sepse këtu është toka e premtuar për fatkeqët që në botën me ligje normale nuk gjejnë vend. Sot e ndoshta përgjthmonë është momenti që të heshtim në lidhje me vdekjen “makabre” të Rafael Duamena pasi të gjithë ne i kemi ngulur një thikë djalit me buzëqeshjen e stampuar por me fatin e keq dhe zemrën e dobët që nuk e lejoi të realizonte ëndrrat në futbollin e rëndësishëm.

Nga Pirro Bardhyli