Skuadra më e mirë shqiptare? Shkëndija e Tetovës që kalon në plej ofin e Ligës së Europës!

Flamurin e shqiptarëve e mban lart edhe Shkëndija e Tetovës. Skuadra e kuqezinjve të Maqedonisë arriti sërish në plej ofin e Ligës së Europës, për të dytin vit radhazi. Të besuarit e trajnerit Qatip Osmani ishin spektakolarë në ndeshjen e dytë ndaj Trakait të Lituanisë, duke e mundur 3-0.

Baltikasve nuk u bëri punë fitorja 2-1 në përballjen e parë, pasi Armend Alimi dhe dy herë Ferat Hasani siguruan suksesin dhe kalimin e turit të tretë eleminator. Tetovarët nuk e patën problem që nuk luajtën as në fushën e tyre dhe as në stadiumin kryesor të Shkupit, por në “Mlladost” të Strumicës, aty ku kombëtarja shqiptare do të ndeshet me Maqedoninë. Mbështetja e tifozëve nuk mungoi dhe Shkëndija nuk i zhgënjeu, duke kryesuar 2-0 që në pjesën e parë.

Pas pushimit, Trakai u përpoq ta dërgonte ndeshjen të paktën në shtesë, por nuk ia doli, madje shpresat e lituanezëve u shuan kur kapiteni Arunas Klimavicius doli me të kuqe në minutën e 72-të. Skuadra e shqiptarëve është e dyta përfaqësuese e Maqedonisë në plej ofin e Ligës së Europës, bashkë me Vardarin e Shkupit, dhe do të kërkojë suksesin e paprecedentë në historinë e saj, kalimin në fazën e grupeve.

Sfidanti.al