Në stadiumin “Hampden Park” ishin rreth 40 000 shikues, që kishin paguar nga 10 paundë stërlina secili për biletën, dhe paratë do të shkojnë për të ndihmuar vendin e dërrmuar nga lufta. Në Gllazgou u luajt ndeshja e Ligës së Kombeve mes Skocisë dhe Ukrainës, fituar 3-0 nga vendasit, ndërsa ra në sy mbështetja e tifozëve skocezë për ekipin kundërshtar, për popullin ukrainas dhe dënimi i agresionit të Rusisë që ende po vazhdon, madje që po përshkallëzohet. Skocezët nuk janë të parët që e bëjnë këtë gjë, ndonëse duken tepër bindës, më shumë sesa ajo që ka ndodhur në Angli, pra në vendin kryesor të Britanisë së Madhe. Në fund të fundit, skocezët kanë qenë vetë viktima të agresionit (anglez) në të shkuarën, ndërsa kurrë nuk kanë sulmuar (në emër të tyre) një shtet tjetër, siç bëri ushtria britanike apo ajo amerikane në 2003 në Irak.
Sfidanti.al