Skilaçi “largon” Ronaldon nga Juvja, tifozët madrilenë “e sjellin” tek Reali

Sulmuesi kryesor i Italisë së Botërorit 1990 gjykon se divorci do të vijë për shkak të kritikave. Salvatore “Toto” Skilaçi deklaron se Kristiano Ronaldo do të largohet nga Juventusi sepse ai “u masakrua” pas eleminimit nga Porto në Champions. “Kritikat ishin të tepruara, – tha Skilaçi, – po flasim për sulmuesin më të mirë të botës. Mund të ndodhë që të ketë një ndeshje të keqe, por Juventusi e nënvleftësoi Porton”. Skilaçi mendon se CR7 do të japë maksimumin deri në fund për klubin, por do të largohet, ndërsa nuk e di nëse Juventusi do t’i ofrojë rinovim. Gjithsesi, Kristiano nuk është larguar ndonjëherë nga ndonjë ekip për shkak të kritikave, por për arsye të tjera, së pari për shkak të trofeve, dhe duket se Juvja nuk ia mundëson Championsin, ndërsa përsa i përket rrogës në Torino e ka shumë të mirë.

Në Madrid, ndërkaq, tifozët e “sjellin” Ronaldon tek Reali. Sipas sondazhit të gazetës “AS”, 57 për qind e tyre besojnë se portugezi do të kthehet në “Bernabeu”. Argumentet mediatike janë të qarta, Reali ka nevojë për të, dhe CR7 ka nevojë për Realin. Zidan do të ketë më shumë gola, duke shfrytëzuar mesfushën e shkëlqyer që ka, si dhe Benzema ka nevojë për mbështetje, por problem mbetet rroga. Rreth 25 për qind besojnë se Ronaldo do të shkojë tek Paris SG, ndërsa më pak besojnë se do të kthehet tek Mançester Junajtidi.

Sfidanti.al