Skerdi Bejzade, trajneri i ri i Erzenit

Vetëm një fitore në 5 ndeshjet e fundit, ku ka marrë edhe një barazim, por ka pësuar 3 humbje radhazi, domethënë vetëm 4 pikë të marra nga 15 të mundshme, e kanë parë Erzenin të rrëshqasë në shkallët e renditjes dhe ta gjejë tashmë veten në vendin e 8-të të renditjes, që të çon në “play-off”-in midis Kategorisë Superiore dhe asaj Të Parë, po duke qenë në buzë të rënies një nivel më poshtë. Dhe kjo ka bërë që drejtuesit e klubit shijakase të reagojnë dhe tashmë pritet që drejtimin e skuadrës ta marrë ish-lojtari i mirënjohur, Skerdi Bejzade.

“Po, kemi arritur marrëveshje me Bejzaden dhe besoj që brenda ditës së premte do ta prezantojmë para skuadrës dhe mediave”, – ka thënë shkurtimisht Balla. Ndërkaq Bejzade ka pohuar akordin me drejtuesit e Erzenit. “Kemi biseduar dhe kemi rënë dakord që unë të marr drejtimin e skuadrës së Erzenit”, – ka thënë ai, duke sqaruar se ndodhet në Gjermani dhe të enjten do të udhëtojë drejt Tiranës, për të nisur të premten punën me ekipin shijakas. Bejzade ka konfirmuar se trajneri aktual, Alfred Deliallisi, do të jetë pjesë e rëndësishme e punës së tij në stolin shijakas.

“Fredin unë njoh dhe kontributi i tij është shumë i rëndësishëm, sepse ai e njeh skuadrën dhe bashkë mund të bëjmë më të mirën për ta çuar skuadrën përpara”, – ka përfunduar Skerdi Bejzade, i cila do ta nisë karrierën me Erzenin me vizitën e vështirë që do t’i bëjë të dielën Tiranës në kryeqytet. Bejzade kthehet për herë të dytë këtë sezon në stolat e Superiores, teksa në fillim ishte për pak javë trajneri i Laçit, duke zëvendësuar Stavri Nicën e për t’u zëvendësuar nga Mirel Josa.

sfidanti.al