Përtej hamendësimeve të ditëve të fundit, duket se ende asnjë lëvizje zyrtare nuk ka në kampin bardhekuq në këto ditë të fundit të vitit. Edhe pse emrat e parë e largimeve të mundshme kanë filluar të lexohen në kampin korçar, zyrtarisht nga klubi nuk ka asnjë konfirmim. Madje drejtuesit shkojnë me tej kur thonë se fillimisht do të lëvizet në pjesën e afrimeve për të parë se çfarë mund të gjejnë në këtë moment merkatoje për të forcuar ekipin dhe vetëm pasi të kenë mbyllur marrëveshjet për lojtarët që do të afrohen, do të vijojë puna për largimin e elementëve që nuk janë më pjesë e planit të korçarëve. Drejtori i Skënderbeut Ardi Gjançi u shpreh se nuk ka asnjë zhvillim në pjesën e ndryshimeve, por klubi është duke punuar për këtë gjë me qëllim kompletimin e ekipit deri në datën 6 janar, kur korçarët do të nisin përgatitjet për ndeshjen e radhës në kampionat. “Deri në momentet që flasim mund të them se nuk kemi asgjë të mbyllur, si në afrime, ashtu edhe në largime. Ndaj mund të them se emrat që kam lexuar këto ditë nuk janë zyrtare dhe nuk ka asgjë të mbyllur me ta. Thjesht ne jemi duke pritur të mbyllim disa afrime fillimisht për të qenë të sigurt se i kemi dhënë ekipit më shumë cilësi dhe më pas do të punojmë në dalje. Për momentin e përsëris nuk ka asgjë në zhvillim në këto çështje. Në ditët e para të janarit mund të kemi diçka konkrete, teksa për momentin jemi duke biseduar në disa fusha”, theksoi Gjançi duke sqaruar zhurmën e merkatos tek Skënderbeu.
sfidanti.al