Mirel Josa nuk pati një kthim pozitiv në Korçë, ku fitoi katër tituj kampion, pasi e humbi ndeshjen në stolin e Tiranës. Skënderbeu kampion tregoi edhe një herë se mbetet të paktën një nga dy pretendentët kryesorë për titullin, me suksesin 2-0. Një gol i Hamdi Salihit në minutën e katërt, dhe një tjetër i Liridon Latifit gjashtë minuta para fundit, bënë që korçarët të barazohen me Kukësin në krye të renditjes së Superligës, me nga 32 pikë secila skuadër. Kjo, pas gafës së rëndë të kuksianëve në fushën e vet me Korabin.
Tirana e Josës nuk luajti aspak keq, por nuk qe në gjendje të shënonte. Domgjoni goditi shtyllën vetëm 4 minuta pas golit të Salihit, dhe po ashtu, kapiteni tiranas Karabeci goditi traun e portës së Shehit në minutën e 56-të, por fati nuk ishte me 24 herë kampionët. Të dyja skuadrat patën edhe raste të tjera, Skënderbeu me Latifin, Radashin e Nimagën, ndërsa tiranasit me Cisenë, Karabecin dhe sidomos Halilin (djalin e presidentit Refik Halili). Loja jep shpresë për Tiranën, por jo renditja pasi tani ndodhet 9 pikë prapa kreut.
Në ndeshjen tjetër të orës 17:00, Flamurtari tregoi se është vërtet i fortë me të fortët. Nuk arriti ta mundë Partizanin, siç bëri me Skënderbeun e Tiranën, por i mori barazimin ashtu si edhe Kukësit. Në Vlorë përfundoi 1-1, me golin mik shënuar nga Batha që në minutën e 13-të, dhe me rrjetën e Danilo Alveshit në të 65-ën, që realizoi në portën e Xhikës. Kapiteni i Partizanit, portieri Alban Hoxha, nuk e kaloi dot dëmtimin.