S’ka dëmtim të ndalë Mesin, shënon, fiton, vendos rekord!

“Mesi “gëlltit” një tjetër rekord, ishte titulli i gazetës “Marka” për fitoren e Barcelonës ndaj Leganjesit. Falë golave të tij, katalanasit realizuan ndeshjen e 38-të radhazi pa humbje, një barazim i rekordit të Real Sociedadit vendosur 38 vjet më parë. Edhe një ndeshje tjetër e tillë, dhe rekordi do të jetë plotësisht i Barçës.

“Mesi barazon Salahun në garën për Këpucën e Artë të Europës”, ishte një tjetër titull. Kjo, sepse argjentinasi realizoi 3 herë në “Kamp Nou” duke arritur në 29 gola në La Liga, po aq sa Salah ka në Premier Ligë, ndërsa të dy janë në krye të renditjes së Këpucës së Artë europiane, me nga 58 pikë.

Jo vetëm kaq, por Leo me 29 gola është gjithnjë e më pranë Këpucës së Artë të Spanjës, ndërsa rivalët e tij, Kristiano Ronaldo e Luis Suarez, kanë nga 22 rrjeta.

Së fundi, Mesi vendosi edhe një tjetër rekord, pasi shënoi me goditje dënimi. Deri tani, numri 10 i katalanasve ia ka dalë 6 herë në La Liga këtë sezon, diçka që nuk e ka bërë askush përpara tij. Bashkë me goditjen e dënimit në Ligën e Kampionëve, ka 7 gola me goditje dënimi në një edicion, edhe ky një rekord.

Barcelona fitoi 3-1 ndaj Leganjesit dhe arriti në 79 pikë ndaj 67 të Atletikos që do të luajë ndeshjen e vet këtë javë në fushën e Realit. Me 24 fitore e 7 barazime në 31 ndeshje, skuadra e trajnerit Valverde synon ta përfundojë kampionatin pa asnjë humbje, që do të ishte sërish një rekord.

Sfidanti.al