Nëse vjet dominimi ishte i Liverpulit, këtë vit ka ndërruar pronar. Mançester Siti është vetëm një hap larg titullit në Angli pas fitores 2-0 në fushën e Kristël Palasit. Ky sukses, i kombinuar me një fitore të mundshme të Liverpulit në fushën e Mançester Junajtidit, do ta shpallte kampione skuadrën e trajnerit Pep Guardiola. Kjo, kur duhen edhe katër javë deri në përfundim, ndërsa e pesta ende nuk ka përfunduar.
Suksesi në Londër u arrit nga gjithë skuadra, veçse me autor golash Sergio Agueron. Sulmuesi argjentinas, që mbush 33 vjeç në qershor, po luan ndeshjet e fundit në ekipin ku ishte për 10 sezone, dhe largimin dëshiron ta bëjë siç e meriton, si kampion. Me 182 gola gjithsej në Premier Ligë, ai është në vendin e katërt për të gjitha kohët, dhe shpreson që këto 4 ndeshje të mbërrijë podiumin, pasi Andi Koul është vetëm 5 rrjeta larg. Nuk dihet ekipi ku ai do ta vazhdojë karrierën, por me një formë të mirë, ai ekip duhet të jetë me fat.
Gjithsesi, fitorja ishte e Mançester Sitit, që nën drejtimin e Guardiolës është bërë forca dominuese në Angli dhe po shkon drejt titullit të tretë në 4 vjet, të 7-it gjithsej në historinë e klubit. Për të kuptuar diferencën e Sitit me rivalët mjafton të përmendim se me Guardiolën janë shënuar 700 gola në të gjithë konkurrimet, 157 më shumë se ekipi i dytë në këtë renditje.
Sfidanti.al