Ishte mesi i janarit dhe ai bëri një paraqitje vërtet të madhe. Nedim Bajrami arriti të shënojë dy gola në stadiumin “Maradona” të Napolit dhe sot është pikërisht Napoli një nga klubet që po kërkon shërbimet e shqiptarit. Ai nuk arriti ta kualifikonte ekipin e tij, por aq mjaftoi, veçse Empoli nuk dëshiron të nxitohet dhe shpreson të mos e humbasë kaq shpejt. Me 4 gola të tjerë dhe me 8 asistë në 32 ndeshje në Serinë B, mesfushori 22-vjeçar ia ka shtuar pikët vetes, por fakti që luan në kategorinë e dytë nuk i jep mundësi Empolit që ta shesë shtrenjtë kartonin e tij.
Për momentin, ky karton vlen 5 milionë euro, shumë pak për shpresat dhe synimet e drejtuesve të klubit të Toskanës. Mediat italiane shkruajnë se për Bajramin interesohen Napoli, Sampdoria dhe Fiorentina, ndërsa drejtori sportiv, Akardi, tregon qendrimin e klubit. “Bajrami është një element me shumë vlerë për ne, – thotë ai, – ai ka mundësi të mëdha përmirësimi, dhe është ambicioz se do t’ia dalë. Ka shumë klube që e duan, por ne shpresojmë ta mbajmë edhe për një sezon”.
Shqiptari 22-vjeçar është një nga zbulimet e Serisë B këtë vit, dhe mund të luajë sezonin e ardhshëm në elitë sepse Empoli kryeson kampionatin. Dëshira tjetër e tij është që të luajë për kombëtaren shqiptare, madje edhe u grumbullua nga trajneri Reja para ndeshjeve të Botërorit, por dokumentacioni dhe rregullat e FIFA-s e kanë penguar deri tani.
Sfidanti.al