Sinqeriteti i Spaletit vlen më shumë si analist sesa si trajner

“Luçiano Spaleti është një aktor”. Këto janë fjalët e thëna vjet nga Masimiliano Alegri dhe trajneri i Juventusit kishte të drejtë. Tekniku i Interit është një aktor që ka hyrë në rol, veçse pa e ditur se do ta spiunonin nëpër gazeta.

Mjeshtri i lojës së bukur dhe i vendeve të dyta në Itali (me Romën, gjithnjë) ka thënë disa fjalë të vërteta, por që jo gjithnjë ndihmojnë. “Situata tek Interi? – thotë ai, – klubi nuk dëshiron të shpenzojë dhe ambienti është një hap larg çmendurisë, pak a shumë si tek Roma, në fije të perit. Shpesh, një ambient me depresion”.

Spaleti ka  shprehur kritika edhe për Totin dhe Romën, por këto janë çështje të kaluara dhe nuk besohet se do t’i prishin punë, ndërsa fjalët e thëna për Interit, rrezikojnë jo pak. Gjithsesi, trajneri ka thënë të vërtetën. “Ndaj Juventusit që ka dy skuadra, nuk mund të fitosh pa shpenzuar”, – janë fjalët e tij, që të kujtojnë ato të Guardiolës apo Murinjos që shpenzojnë një mal me para, sepse ndryshe nuk ke sukses në këtë lloj futbolli.

Sidoqoftë, Spaleti nuk donte që fjalët e tij të dilnin në shesh (i botoi “Il Korriere dela Sera”). Siç thotë batuta e një filmi shqiptar, “edhe angloamerikanët kanë dëshirë të gënjehen”, që për ne përkthehet, “njerëzit kanë më shumë dëshirë të gënjehen sesa të mësojnë disa të vërteta që nuk do t’u pëlqejnë”.

Sfidanti.al