Simeone: Ndeshjen nisëm ta fitonim që në rrethrrotullimin e stadiumit!

Në 8 vjet në stolin e Atletikos, nuk i kishte qëlluar ndonjëherë që ta ndjente kaq shumë mbështetjen e publikut. Diego Pablo Simeone u ndje edhe më shumë krenar si trajner i “bardhekuqve” të Madridit, për përkrahjen që ekipi i tij mori në ndeshjen më të vështirë të sezonit, që doli edhe më e mira e sezonit, atë ndaj Liverpulit. Tifozët ishin arsyeja kryesore, sipas teknikut argjentinas, që Atleti ia doli në detyrën më të rëndë.

“Ndeshjen nisëm ta fitonim në rrethrrotullimin pranë stadiumit, kur pamë se çfarë mbështetjeje po na bënin tifozët, – theksoi Simeone, – njerëzit ishin entuziastë, me shpresa dhe pa frikë. Edhe lojtarët e morën mesazhin se duhej të luftonin të bashkuar. Shënuam shpejt, u detyruam të tërhiqeshim, por u mbrojtëm të bashkuar. Nuk mund ta quaj mbrëmjen tonë më të mirë, sepse nuk na dha titull, por ishte një nga ato mbrëmje që nuk harrohen kurrë. Luan me më të fortët e botës dhe fiton. Në 8 vjet që kam në këtë klub, kurrë nuk i kisha parë tifozët në këtë nivel”.

Sfidanti.al