Tirana po zien. “Arena Kombëtare” është në qendër të vëmendjes, ndërsa të shtunën mbrëma Shqipëria përballet me Serbinë në një ndeshje që tejkalon kufijtë e një 90-minutëshi futbolli. Emocion, histori, krenari dhe tension, gjithçka përmblidhet në këtë sfidë të Grupit K kualifikues për Kupën e Botës 2026. Por bashkë me ndjesinë e një ndeshjeje të madhe, kanë ardhur edhe çmimet… ‘e çmendura’. Në tregun e zi dhe platformat e rishitjes online si “viagogo.com” çmimet e biletave kanë shpërthyer, duke kaluar çdo logjikë sportive. Nga pas portave e deri në tribunën VIP, biletat janë duke u ofruar me çmime që nisin nga 180 euro dhe arrijnë deri në 1500 euro për një vend të vetëm. Po, 1500 euro për të parë një ndeshje futbolli në tokën shqiptare, një rekord i heshtur që flet për çmendurinë e kërkesës dhe, në të njëjtën kohë, për dështimet në menaxhim. Statistikat janë të ftohta, por domethënëse: mbi 200 mijë tifozë kërkuan të siguronin një biletë për një stadium që ka vetëm 22 mijë ulëse. Shifrat tregojnë gjithçka. Sistemi i aplikimit të FSHF-së, i ndarë në dy faza – aplikimi dhe përzgjedhje elektronike “rastësore” – vetëm sa e ka rritur konfuzionin dhe tensionin. Madje, shorti elektronik është shtyrë edhe dy ditë, një tregues i qartë se procesi nuk po ecën siç duhet. FSHF njoftoi se çdo biletë do të ishte e personalizuar, me emër e mbiemër. Por realiteti tregon të kundërtën: qindra bileta janë tashmë në shitje të lirë. Kjo hedh poshtë edhe pretendimet për kontroll të rreptë apo siguri të sistemit. Tifozët pyesin: si është e mundur që një biletë me emër të dalë në treg të hapur? Ndeshja ndaj Serbisë është e madhe për historinë tonë kombëtare, por ajo po mbart edhe një tjetër realitet me çmime që konkurrojnë Champions League dhe bileta që “magjikisht” përfundojnë në tregun e zi. Kjo ndeshje më shumë se një betejë në fushë, është kthyer në një betejë për… një karrige plastike në tribunë. Tifozët duan të jenë pjesë e historisë. Por me 1500 euro për një biletë, historia po shkruhet vetëm për ata që ua mban xhepi. Dhe kjo është, të paktën, e trishtueshme.
sfidanti.al