Kur e mori në dorë skuadrën vuri veton vetëm për dy lojtarë. Këta ishin sulmuesit Tomisllav Bushiç e Danilo Alvesh, të cilët trajneri Shpëtim Duro vendosi t’i mbante nga Flamurtari i kaluar, ndërsa ndryshimi për të tjerët ishte i plotë. Duro e fitoi bastin për të dytën ndeshje radhazi, pasi futbollistët e ofensivës i dhanë edhe fitoren në Durrës, pas suksesit më të lehtë arritur ndaj Lushnjes në Ballsh.
Teuta u mund 2-1 në “Niko Dovana”, në një nga ndeshjet më të vështira të sezonit, dhe golat u shënuan pikërisht nga Bushiç. Kroati, me përvojë në kampionat pas eksperiencave edhe me Vllazninë e Tiranën, shënoi në minutën e 3-të dhe të 37-të, në një ndeshje që Flamurtari mund ta kishte fituar me rezultat më të thellë. Në të kundërt, u detyrua të kënaqej me një triumf më të vogël, 1-2 falë një penalltie krejt të dyshimtë në fund.
Skuadra vlonjate duket se do të jetë e kundërta e sezonit të kaluar. Vjet hyri në edicion me pretendime të mëdha pas shpenzimeve të shumta dhe dështoi, këtë herë e ka nisur pa bujë, por duket se do të jetë një nga pretendentët kryesorë të paktën për të shkuar në Europë.
Sfidanti.al