Shpëtim Duro: Dua të punoj në Superiore…!

Disa ditë më parë krijoi habi largimi i trajnerit Qatip Osmani nga Vllaznia për vetë faktin se kjo skuadër mban vendin e dytë dhe është plotësisht në garë për titullin. Por ka edhe më keq… Shpëtim Duro i ka dhënë lamtumirën papritur skuadrës së Strugës në Maqedoninë e Veriut. Klubi strugan dhe trajneri kryeqytetas kanë ndërprerë marrëveshjen, edhe pse ekipi kampion në fuqi i Maqedonisë së Veriut është në pozita kryesuese, me pikë të barabarta me Shkëndijën e Tetovës dhe Shkupin, të tria skuadra shqiptare. Ishte vërtet një befasi largimi i Duros, kur Struga është në garë për titullin kampion.

DEKLARATA – Trajneri Shpëtim Duro ka shpjeguar në një prononcim për “Panorama Sport” se si ishte situata e kësaj ndarjeje. Nga një anë ai ka pranuar se do të kishte dashur ta vazhdonte punën deri në fund të sezonit, për të tentuar titullin e dytë kampion radhazi. Në anën tjetër thekson se nuk do të rinovonte marrëveshjen, pasi dëshironte të kthehej të drejtonte në Shqipëri.

“Mbaroi si cikël. Edhe këtë muaj kisha kontratë dhe mbaroja pas një viti e gjysmë dhe sinqerisht nuk kisha ndërmend të vazhdoja. U bë kohë e gjatë larg familjes. Por doja të qëndroja këto dy ndeshje, sepse tani varet kampionati me përballje direkte. Janë në vend të parë, por ashtu bëmë një zgjidhje bashkërisht. Kemi kryesuar kampionatin gjithë vitin dhe dy ndeshjet e fundit nuk shkuan siç shpresonin, përndryshe do të shpalleshim kampionë para kohe. Qysh sot më kanë telefonuar nga një skuadër serioze në Kosovë dhe njëra në Maqedoni, por duhet të pushoj dhe do të doja të punoja këtu në Shqipëri. Dolëm kampion, shkuam në “play-off” në Ligën e Konferencës dhe kryesuam gjithnjë në Maqedoni. Kështu po e lë Strugën, edhe me buxhet 5 herë më pak se Shkupi dhe Shkëndija”, u shpreh ndër të tjera Duro në prononcimin e tij pas largimit nga skuadra kampione në fuqi e Maqedonisë së Veriut.

sfidanti.al