8 vjet nga hyrja e Kosovës në UEFA, Ademi: Ishte vendimi që i dha fund izolimit

Me 28 vota pro, 24 kundër dhe dy abstenime Kosova u pranua si anëtare me të drejta të plota në kongresin e UEFA-s në Budapest, më 3 maj 2016, duke u bërë kështu anëtarja e 55-të e kësaj organizate evropiane të futbollit. Kryetari i kohës i Federatës së Futbollit të Kosovës Fadil Vokrri, i cili ishte i pranishëm në kongresin e UEFA-as, anëtarësimin e Kosovës në UEFA e cilësoi një arritje historike dhe një drejtësi të vonuar. “Një drejtësi e vonuar, por, duke marrë parasysh bllokadat ligjore që i janë paraqitur Kosovës ne arritëm të pranohemi, kjo është një arritje e jashtëzakonshme. Momentet brenda kuvendit të UEFA-as, ishin të vështira për shkak të kahut që i dhanë kuvendit disa shtete. Megjithatë ne arritën të anëtarësohemi në UEFA dhe tash është radha të anëtarësohemi në kongresin e FIFA-as në Meksikë që zhvillohet javën e ardhshme. Edhe në këtë kuvend, pranimi i Kosovës ose jo është në rend dite. Pra kjo është një fitore e të gjithëve”, tha Vokrri.

Kundër anëtarësimit u pozicionua Serbia. “Politika dhe futbolli nuk duhet të ngatërrohen në mënyrën më të shëmtuar. Ne do të kujdesemi për një protestë në rajon”, tha para votimit Tomislav Karaxhiq, shef i Federatës të Futbollit të Serbisë.

Anëtarësimi në UEFA iu mundësoi ekipeve kosovare që të marrin pjesë në garat evropiane të futbollit. Po ashtu, kjo i hapi rrugë Kosovës që të anëtarësohet edhe në Federatën Botërore të Futbollit – FIFA, në Meksiko Siti, në kongresin e mbajtur më 12 dhe 13 maj 2016. Presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, tha se 3 maji është datë historike për futbollin e Kosovës, datë kjo e cila shënon pranimin e Kosovës në UEFA, që ndodhi në vitin 2016.

 

 

sfidanti.al