Adrenalina ka arritur kulmin në të dyja kompeticionet europiane, sidomos në Champions. Reali i Madridit, Barcelona, Bajerni, Juventusi, Mançester Siti, Liverpuli, Sevilja dhe Roma janë skuadrat që do të jenë në vazot e shortit çerekfinal që hidhet sot në orën 12:00, në selinë e UEFA-s në Nion të Zvicrës.
Gazeta spanjolle “Marka” bën një analizë të shortit të mundshëm dhe zbulon se 8 janë çiftet më “eksplozivë” që mund të dalin nga vazot. Mbi të gjithë është Derbi i Spanjës, “El Klasiko”, pra dueli mes Realit të Madridit dhe Barcelonës. Gjigandët e Spanjës eleminuan me autoritet PSG-në dhe Çelsin, ndërsa nëse do të viheshin përballë, do të ishte edhe një duel Kristiano Ronaldo-Lionel Mesi.
Barcelona-Mançester Siti quhet sfidë e madhe, pasi Pep Guardiola do të vihej sërish kundër ish-ekipit të tij me të cilin u bë i pavdekshëm. Pep e provoi një herë ndjenjën e çuditshme kur ishte në stolin e Bajernit. Po ashtu, një Real Madrid-Mançester Siti do të ishte për “infarkt”, pasi Guardiola do të ishte kundër Madridit. Katalanasi eleminoi Realin me Barçën, por u eleminua me Bajernin.
Real Madrid-Bajern Mynih nuk ka nevojë për reklamë, pasi është klasikja më e madhe e kupave të Europës. Pas disfatave të fundit në 2014 e 2017, në Gjermani duan revansh, por sidomos një gjykim më të drejtë. Supersfidë do të ishte edhe Barcelona-Juventus, me italianët që u kualifikuan vjet, por me katalanasit që dominuan në fazën e grupeve këtë edicion.
Një duel historik dhe shumë i ndjerë do të ishte Juventus-Liverpul. Do të kujtohej sërish tragjedia e “Hejselit” në Belgjikë, në finalen e Kupës së Kampionëve në 1985, kur humbën jetën 39 tifozë, shumica e të cilëve italianë. Së fundi, “Marka” përzgjedh edhe Real Madrid-Sevilja (nuk dihet pse nuk zgjodhi Barça-Sevilja). Ndoshta, e preferuan për shkak se dy ekipet janë ndeshur 3 herë në Europë, një herë në Champions dhe dy herë në Superkupë, dhe të tre herët ka fituar Reali.
Sfidanti.al