S’ta përton Rio Ferdinand: Junajtidi zhvilloi një ndeshje të turpshme!

Dy legjendat e futbollit anglez, Rio Ferdinand dhe Pol Skols, të ftuar në studion e hapur “Bi-Ti Sport”, nuk i kursyen fjalët më negative për lojën shumë modeste dhe, herë pas here, të turpshme të futbollistëve të Mançester Junajtidit në ndeshjen me Seviljen që kjo e fundit e fitoi 1-2 në “Old Traford” në kuadrin e Champions-it. Më i ashpër, në fakt, ishte ish-mbrojtësi (Ferdinand) që, siç duket, nuk u përmbajt dot, duke vënë në dukje se për yjet e këtij ekipi janë paguar shuma të mëdha, kurse ata duket se janë lojtarë mesatarë.

“E tmerrshme, kjo është fjala që mund ta përshkruai më së miri atë që ne pamë në fushë. Me të vërtetë që nuk e prisja një lojë të tillë të dobët të Mançesterit dhe një rezultat të tillë. Junajtidi duket si një ekip i mbushur me të huaj që nuk e njihnin njëri-tjetrin. Ata dolën në fushë të nervozuar dhe filluan të luanin shumë të kujdesshëm, kurse në ndeshje të tilla duhet të tregohet mprehtësia dhe asgjë nuk i lihet rastësisë.

Ekipet e mëdhenj nuk duhet që ta dinë se kundër kujt po luajnë, ekipet e mëdhenj luajnë gjithnjë mirë e në mënyrë konstante. Me siguri që, tani, në çerekfinale do të ketë ekipe që do të lëpijnë buzët, nëse përballë do të kenë Seviljen. Të them të drejtën, Sevilja është një ekip mesatar, lojtarët e saj nuk janë aspak të frikshëm. Para të shënonin gol, unë po thosha me vete se ata sikur të luajnë edhe gjashtë muaj, nuk kanë për të shënuar gol”, vuri në dukje Rio Ferdinandi.

Sfidanti.al