“Zhoze nuk doli ai trajner që ne shpresonim që të ishte”

Këto dyshime vijnë nga brenda, nga Bordi drejtues i Mançester Junajtidi. E habitshme apo jo, por në klubin që priti 7 vjet Sër Aleks Fergusonin, nuk kanë durim të presin dy apo tre vjet Zhoze Murinjon. Mediat britanike njoftojnë se në strukturat e “djajve të kuq” ka marrë fund durimi, jo thjesht me rezultatet, por sidomos më stilin e lojës që praktikon trajneri portugez.

“Ne jemi të shqetësuar, – shprehet një anëtar i bordit, por që nuk jep emër, – Zhoze nuk doli trajneri që ne prisnim dhe mendonim. Ne e dimë se tifozët tanë e urrejnë këtë lloj futbolli, por po ashtu po kristalizohet mendimi se nuk do ta fitojmë dot titullin kampion në 3-4 vitet e ardhshëm. Për më tepër, ai (Murinjo) është i pasigurt dhe ngatërrohet në gjëra që janë jashtë futbollit”.

E habitshme sesi erdhi puna për t’u dhënë këto gjykime për një nga trajnerët më të shquar të botës, atë që u zgjodh si personazhi i vitit në botë në 2010, nga revista e famshme “Rolling Stouns”. Gjithsesi, loja e Junajtidit të Murinjos ka lënë për të dëshiruar, sidomos në ndeshje të tilla si ndaj Sitit, Liverpulit apo Seviljes.

Po ashtu ka përçarje në ekip, me kolektivin që u quajt “jo një anije e lumtur” nga një burim. Romelu Lukaku kritikoi disa nga shokët pas eleminimit me Seviljen duke u shprehur se “disa u fshehën”, por shokët e tij nuk i pëlqyen këto fjalë që erdhën nga një lojtar “që nuk është klas botëror”. E mistershme edhe forma e Pol Pogbasë dhe Aleksis Sançezit, ndërsa shansi i vetëm i Murinjos për të fituar trofe është Kupa e Anglisë.

Sfidanti.al