Të gjithë e njohim për talentin e shkëlqyer që padyshim e ka. Xherdan Shaqiri mund të mos ketë gjithë fatin e kësaj bote, dhe shpesh herë është dëmtuar apo nuk ia ka dalë tek Liverpuli, por gjithsesi ka rënë shpesh në sy, siç bëri edhe së fundmi. Në periudhën e pandemisë, shqiptari i Zvicrës nuk shkëlqeu me ndonjë gol apo aksion individual, por me një këngë shqipe, e cila iu kërkua nga trajneri i tij, Jurgen Klop. Klubi anglez postoi, në adresën e tij zyrtare në Tuiter, një video ku paraqitej trajneri Klop duke biseduar me futbollistët e tij, të shpërndarë në shtëpitë e tyre.
Disave prej tyre, gjermani u kërkoi të këndonin në gjuhën e tyre të nënës, siç ndodhi p.sh., me holandezin Van Dajk. Kjo iu kërkua edhe Shaqirit, i cili vërtet luan për Zvicrën, por prindërit e tij janë shqiptarë nga Kosova. Një ditë më parë, Shaqiri postoi në adresën e tij në Tuiter, duke uruar që ky izolim të përfundojë sa më shpejt, dhe futbolli të nisë përsëri, ndërsa në foto kishte një gol të shënuar ndaj Evertonit në derbi. Lojtari ofensiv 28-vjeçar luan prej dy sezonesh tek Liverpuli, ndonëse dëmtimet dhe konkurrenca e kanë kufizuar në vetëm 40 ndeshje e 7 gola. Ai fitoi vjet Championsin, pasi ndihmoi në fitoren e madhe 4-0 ndaj Barcelonës në gjysmëfinale.
Sfidanti.al