Sezoni i “kokave të prera”

Në 9 javët e para të kampionatit shqiptar, gjashtë nga dhjetë skuadrat pjesëmarrëse kanë ndryshuar trajner. Një bilanc negativ kur sheh se vetëm katër skuadra të Superiores kanë ende në krye të ekipit timonierin e emëruar para nisjes së sezonit. Edlir Tetova i Egnatias, Ivan Gvozdenoviç i Skënderbeut, Alfred Deliallisi i Erzenit dhe Migen Memelli i Vllaznisë, janë ata që vijojnë punën që nga nisja e sezonit 2023/2024. Që pas javës së parë, Laçi largoi Stavri Nicën, teksa ai barazim 3-3 me Erzenin u konsiderua i papranueshëm. Një javë më tepër rezistoi Rrahman Hallaçi, i cili pas dy humbjeve la Kukësin. Në vijim, do të ishte Diego Longo, ai i cili la në mes projektin që kishte nisur me Teutën. Pas vetëm pesë javësh kampionat.

Skena do të merrej më pas nga skuadrat e kryeqytetit. Pas ndeshjes së javës së shtatë me Laçin, bardheblutë, që humbën 0-3, i faturuan rezultatet negative teknikut Orges Shehi, duke e pezulluar nga detyra. Në të njëjtën periudhë Zoran Zekic u largua nga Partizani, por ndryshe nga kolegët e tij, kroati u ble nga Osijek. Klubi kroat pagoi 100 mijë euro për trajnerin e të kuqve.

Ashtu siç nisi dhe përfundoi faza e parë, me një tjetër trajner të larguar. Luigi Di Biagio dha dorëheqjen nga Dinamo City pas disfatës 2-3 me Teutën. Të shkarkuar, të pezulluar, të larguar me konsensus, të dorëhequr apo dhe të transferuar jashtë vendit për një shumë parash, kjo fazë e parë prodhoi gjithçka për trajnerët e Superiores. Teksa në më pak se dy muaj u larguan plot 6 trajnerë!

sfidanti.al