Kjo ishte pyetja e ish-kapitenit të Mançester Junajtidit, Rio Ferdinand. “A dëshiron Mohamed Salah të kthehet në një legjendë të Liverpulit, apo gjithçka ka lidhje vetëm me paratë”, – tha ish-qendërmbrojtësi, sot në rolin e opinionistit. Sulmuesi egjiptian e bëri të vetën edhe në ndeshjen e fundit të të kuqve, në fitoren 2-0 në fushën e Brajtonit, duke shënuar golin e dytë me penallti, por mbeten të bllokuara bisedimet për të ardhmen e tij. Sa kërkon sulmuesi, dhe sa është i gatshëm të japë klubi? U fol për 500 000 paundë stërlina në javë, diçka që nuk është konfirmuar, por as hedhur poshtë plotësisht. Për momentin, Salah duket më shumë larg sesa pranë, ndonëse ka vazhduar të jetë i rëndësishëm për skuadrën e trajnerit Jurgen Klop. Ai ka 20 gola në Premier Ligë. Në Brajton, golin e parë e shënoi bukur me kokë Luis Diaz, në një ndeshje të vështirë, ku Liverpuli bëri më shumë dhe pati më shumë gjuajtje e raste, por edhe vendasit luftuan fort. Liverpuli ka 66 pikë, me të njëjtin numër ndeshjesh si Siti (nga 28), ndërsa kampionët kanë 69. Golaverazhi është më i mirë për të kuqtë e Klopit, ndonëse jo me diferencë të madhe, vetëm 3 gola.
Sfidanti.al