Loran Blank, Zinedin Zidan dhe të tjerët vendosën të bënin një takim nostalgjie të “maturës 1998”. Kampionët e botës francezë u ulën në tavolinë dhe pozuan me fytyra më të gjera, dhe me shumë më tepër kilogramë në trup, ndonëse jo kushdo mund të quhet me bark.
Nëse i marrim nga e majta në të djathtë, emrat janë këta: Biksent Lizarazu, Liliam Turan, Vinsent Kandela, Alen Bogosian, Loran Blank, Zinedin Zidan, Kristof Dygarri, Bernar Lama, Kristian Karembë dhe Bernar Diomedë.
Nëse i vendos pranë e pranë, foton e kampionëve të 1998-ës me atë të sotmen, të duket sikur kanë dalë, në njërën prej tyre djemtë, dhe në tjetrën baballarët e tyre. Jo më kot kanë kaluar 20 vjet.
Franca e atij brezi ishte në kulmin e historisë saj, duke u shpallur kampione e botës në Paris me trajnerin Aime Zhake, pastaj doli kampione e Europës në vitin 2000, për të nisur rënia dhe për të pasur “këngën e mjellmës” në 2006, në finalen e Botërorit humbur pas penalltive me Italinë.
Franca e sotme doli po ashtu kampione e botës, nën drejtimin e një kampioni të 1998-ës, Didie Deshamp, që ishte kapiteni, por që nuk duket në foton e drekës së këtyre ditëve.
Sfidanti.al