Rubin Kazan mori një fitore të rëndësishme 2-0 në Shën Petersburg përballë Zenitit, qwë kryeson kampionatin rus. Padiskutim që protagonisti i suksesit në “Gazprom Arena” ishte sulmuesi shqiptar Mirlind Daku, autor i një goli dhe një asisti. Në konferencën për shtyp pas ndeshjes trajneri i Rubinit, Rashid Rakhimov ka vlerësuar lojën e sulmuesit kuqezi.
“E shihni vetë se si është Daku. Nuk dua ta lavdëroj, por sot ishte me të vërtetë një ndeshje shumë e mirë. E lavdërova tani dhe ai thotë: “Faleminderit Zot, të paktën një herë më ke thënë fjalë të mira”. I thashë se nesër do të dëgjonte diçka ndryshe”, ka thënë Rakhimov. Mirlind Daku po paraqitet shumë mirë në kampionatin rus, ku në 23 ndeshje të luajtura me Rubinin ka shënuar 6 gola dhe ka dhënë 4 asiste. Sulmuesi shpreson që me paraqitjet e tij të bindë trajnerin Silvinjo, që ta grumbullojë në Euro 2024.
sfidanti.al