Dyqind milionë euro për Kristiano Ronaldon, 135 milionë euro plus ndonjë lojtar për Kilian Mbapenë nëse Monako nuk kënaqet lehtë, refuzim 100 milionë eurove për Marko Verratin. Qenka një verë përvëluese në biznesin e futbollit për Paris SG, edhe sipas standardeve tepër “sahariane” të klubit francez. Presidenti Al Helaifi po lufton në disa fronte, por ende nuk dihet se ku do të ketë sukses.
Dashuria në distancë e parizienëve për Ronaldon është e vjetër, por kjo verë sjell një tjetër seri të “telenovelës”. Nuk dihet nëse CR7 do të largohet nga Reali për të zgjedhur Francën. Kilian Mbape është dashuri më e vonshme. Al Helaifit nuk është se i mungojnë paratë dhe sipas mediave është gati të japë 135 milionë euro, pikërisht ofertën që Monako dëshiron të dëgjojë për sulmuesin e saj 18-vjeçar. PSG është i përgatitur edhe për më shumë, pra të përfshijë një futbollist në bisedime, nëse 135 milionë euro do të duken pak. Rivaliteti ndaj Realit duket se është i fortë.
Verrati mbetet dëshira e Barcelonës, por deri tani “e ndaluar”, pasi Al Helaifi nuk dëshiron të mbetet pa një nga lojtarët më të mirë të skuadrës. Gjithsesi, Paris SG vazhdimisht ka hasur në refuzime për blerjet e mëdha, përjashto Ibrahimoviçin, Tiago Silvën dhe Kavanin. “Mbretit” mesa duket “nuk ka kush t’i shkruajë”, dhe kjo vetëm për shkak të atij trofeu të “mallkuar” të Championsit që nuk po arrin ta fitojë, ose të paktën të shkojë në finale.
Sfidanti.al