Ronaldo ka 100 gola për Portugalinë, por asnjë në 5 duele me Francën!

Didie Deshamp nuk arriti ta fshihte kënaqësinë që skuadra e tij nuk lejoi një bomber të sprovuar si Kristiano Ronaldo që të shënonte në ndeshjen e fundit, për Ligën e Kombeve, por edhe gjatë 5 sfidave në të cilat ai ka qenë për Portugalinë ndaj Francës. “Lojtarë si Kristiano Ronaldo nuk u panë shumë sonte”, – tha Deshampi.

Dueli i parë ishte ai në fazën finale të Kupës së Botës 2006 në stadiumin “Alianc Arena” të Mynihut, fituar 1-0 nga Franca me golin e shënuar nga Zinedin Zidan. Ishte penalltia e minutës së 33-të që vendosi fatin e gjysmëfinales, dhe Ronaldo luajti për 90 minuta. Sfida e dytë ishte miqësore, luajtur në 11 tetor 2014 në “Stad dë Frans” dhe fituar 2-1 nga vendasit. Karim Benzema e Pol Pogba shënuan për Francën e trajnerit Deshamp, ndërsa Rikardo Kuarezma realizoi golin e vetëm për miqtë në 77’. Kristiano ishte kapiten dhe luajti 76 minuta, i zëvendësuar nga Zhoao Mario.

Në shtator 2015 erdhi miqësorja tjetër, këtë herë në “Estadio Zhoze Alvalade” të Lisbonës, stadiumin e Sportingut. Francezët fituan 1-0  me rrjetën e vonshme të Matjë Valbuenasë në 85’. Ronaldo ishte sërish kapiten dhe sërish u zëvendësua në 67’ pikërisht nga Kuarezma. Revanshi i madh portugez erdhi në finalen e Euro 2016-ës, ndeshjen përfundimtare në “Stad dë Frans” që Kristiano Ronaldo me shokë e fituan 1-0 pas kohës shtesë, ndërsa shënoi Eder në 109’. Ronaldo luajti vetëm 25 minuta ndërsa doli për shkak dëmtimi, zëvendësuar përsëri nga Kuarezma. Ndeshja e 14 qershorit në grupin e Europianit u anulua dhe pritet të luhet verën e ardhshme, ndërsa kjo e fundit në Paris për Ligën e Kombeve doli 0-0.

Sfidanti.al