Me Gasperinin në stol dhe me një Drejtor të ri Sportiv si Massara, në shtëpinë e Romës kanë nisur punën për të ideuar sezonin e ri. Një pikëpyetje më vete është e ardhmja e qendërmbrojtësit kuqezi, Marash Kumbulla, me këtë të fundit që më 30 qershor i përfundon huazimi nga Espanyol dhe do të rikthehet në kryeqytetin italian. Kumbulla mbylli një sezon shumë pozitiv në La Liga, titullar absolut, por tani topi i kalon drejtuesve të Romës dhe mbi të gjitha trajnerit Gasperini për të thënë fjalën i fundit.
Sipas mediave italiane, verdhekuqtë janë të detyruar të shesin menjëherë, i duhen 10 milionë euro arkëtime për të qenë korrekt me bilancet financiare. Corriere dello Sport zbulon se Roma ka përpiluar një listë të shpejt për lojtarët që janë në shitje, mes tyre është edhe emri i Marash Kumbullës. Qendërmbrojtësi kuqezi mund të largohet, por vlera e tij e kartonit është një pengesë e fortë pasi Roma nuk ka ndërmend të shes nën kosto një lojtar që 4 vite më parë i kushtoi afro 26,5 milionë euro. Espanyol mbetet në çdo rast një opsion për Kumbullën pasi drejtuesit e ekipit spanjoll janë shumë të kënaqur me rendimentin e tij, por as që bëhet fjalë, të paktën për momentin, që të investojnë para kesh për të blerë Kumbullën, synojnë ta mbajnë në skuadër të paktën edhe për një tjetër vit në formë huazimi.
sfidanti.al