Zhoze Murinjo është mburrur se e nxorri Realin nga prapambetja dhe e bëri sërish një klub të madh europian. Zinedin Zidan e vlerësoi trajnerin portugez, dhe siguroi se Reali është në formën e duhur pavarësisht se çfarë ndodhi gjatë verës. Të dy trajnerët, po ashtu, u pyetën dhe u përgjigjën për çështjen e Garet Bejlit. Duket se pak Superkupë e Europës ishte në vëmendje në Shkup në prag të finales, ndonëse nuk ishte ashtu. Murinjo, një ish-lojtar jo i madh, por një trajner fitues, dhe Zidan, një lojtar i madh dhe një trajner që po provohet fitues, duan që të dy që të triumfojnë. Reali cilësohet favorit për Superkupën e Europës, edhe pse Junajtid ka treguar formë më të mirë gjatë miqësoreve, plus që kampionati anglez nis një javë përpara atij spanjoll.
Po me Bejlin çdo të ndodhë? “Nëse ai nuk luan në Superkupë, atëherë ne do të përpiqemi ta marrim, – tha Murinjo, – nëse ai luan, do të thotë se Reali e cilëson të rëndësishëm, dhe do të jetë e vështirë”. Zidan: “Ai është lojtar i yni, ai është stërvitur mirë dhe është në formë, nuk ishte e lehtë për të në fund të sezonit të kaluar pasi kishte 4 muaj i dëmtuar, por tani është ndryshe”. Të shohim, çdo të ndodhë.
Problemi tjetër në kryeqytetin e Maqedonisë është vapa. Temperaturat gjatë ditës shkojnë deri në 40 gradë, ashtu si në Tiranë, edhe pse në mbrëmje bien pak. Gjithsesi, në kohën që do të luhet (20:45), do të jetë ndoshta 30 gradë, gjë që shqetëson sidomos anglezët të pamësuar me klimë të tillë. UEFA ka vendosur të lejojë ndërprerje të ndeshjes që lojtarët të pijnë ujë dhe të freskohen.
Sfidanti.al