Zhoze Murinjo thoshte shumë vjet më parë se lojtari më i mirë që kishte stërvitur deri në momentin që fliste, ishte Frenk Lampardi. Trajneri portugez u mbështet fort tek mesfushori anglez, po ashtu si tek Xhon Terri apo Didie Drogba në Çelsin e tij të parë në vitet 2004-2007 duke fituar shumëçka, ndërsa legjenda e bluve do të provojë një tjetër sfidë në stol. Lampardi, në moshën 43-vjeçare, është përzgjedhur nga Evertoni si njeriu i duhur për të shpëtuar sezonin pas shkarkimit të Rafa Benitezit. Lampsi ka firmosur kontratën 2.5 vjeçare dhe bashkë me të do të punojnë si ndihmës Xho Eduards dhe Kris Xhons, që i ka pasur tek Çelsi. Kapitulli i parë i Lampardit, ai në “Stemford Brixh” nuk përfundoi mirë dhe ai u zëvendësua nga Tomas Tuhel, por anglezi krenar beson se tani ka më shumë përvojë dhe se tek Evertoni presioni do të jetë më i vogël. Ai do të jetë rival i Jurgen Klopit në derbin e qytetit, Everton-Liverpul, ndërsa përforcimi i parë për të është Doni Van der Bek nga Man. Junajtidi.
Sfidanti.al