Remont total te Tirana, Largohet Abazaj, afrohet Ibraimi

Në ditën e largimit të Kristal Abazajt, Tirana njoftoi emërimin e Agim Ibraimit në postin e drejtorit sportiv. Ndryshime radikale në klubin kryeqytetas që ende nuk ka bërë lëvizje në hyrje për të forcuar grupin që po tkurret dita – ditës. Edhe pse sezoni sapo ka mbaruar dhe mund të duket e bollshme koha përpara për të vijuar punën e për të gjetur lojtarët e duhur, në gjuhën e merkatos koha fluturon dhe Tirana ndoshta duhet të nxitojë.

Njoftimi i klubit:  

ZYRTARE!

Klubi i Futbollit Tirana njofton se Agim Ibraimi është emëruar drejtor sportiv i klubit bardh’ e blu! Drejtuesit e klubit kanë arritur marrëveshjen me Ibraimin duke nënshkruar kontratën e bashkëpunimit mes palëve për një projekt afatgjatë. Eksperienca e jashtëzakonshme si futbollist në Slloveni, Itali, Shqipëri e më gjerë, ka bërë që klubi ta zgjedhë Ibraimin për t’i besuar këtë rol të rëndësishëm. Ibraimi do të nisë menjëherë nga puna për formimin e Tironës Europiane dhe skuadrës së sezonit të ri. Si futbollist, Agim Ibraimi ka lënë gjurmë me Mariborin në Slloveni, teksa ka luajtur me Kaljarin në Serinë A, Astanën në Kazakistan dhe njëkohësisht numëron 40 ndeshje me Kombëtaren e Maqedonisë së Veriut, ku edhe i është dhënë çmimi i nderit si Ambasador i Sportit. Të bindur se ky do të jetë hapi i parë i sigurtë drejt projektimit të një skuadre solide. Tirana i uron mirëseardhje dhe njëkohësisht suksese drejtorit në vazhdimësinë e punës së tij nën stemën bardheblu.

sfidanti.al