Në një kohë kur në investimet bëhen me qëllimin e vetëm për të marrë fitime të shpejta, janë edhe një kategori njereëzish, të cilëve pasioni u ka mbetur sikur të ishte një orë e vjetër, e pakurdisur. Vendi është mbushur me lokale nga më luksozet dhe frekuentimin e tyre klientët e klasifikojnë si “hit parade” të shkallës shoqërore, ndërsa Redi Jupi, një ish-futbollist virtuoz ka vendosur të transferohet, për të vazhduar pasionin e tij në Petrelë.
Dhe në një ambjent mes kodrave dhe pemëve është ndërtuar një kompleks i quajtur “Football Republic”. Kjo ishte vërtetë një mrekulli futbolli e shtrinë në një siperfaqe të konsiderueshme. Tre fusha me përmasa reale dhe mbi të gjitha e mbështetur nga një infrastrukturë shumë e përshtatëshme. Të merrje pjesë në atë ditë inaugurimi ishte si të ishe pjesë e një tjetër realiteti, diku tjetër në Europë, pasi Tirana dhe aq më pak pjesa tjetër e Shqipërisë, nuk të ofrojnë ende pamje të tilla.
Por entuziazmi mbetet vetëm tek ne të thjeshtët, të cilët sportin e kemi oksigjen për të vazhduar jetën, ndërsa ka edhe disa që e kanë thjeshtë profesion, për të përfituar prej tij dhe për ta përmirësuar jetën. Në ditën e startit të Akademisë së Jupit mungonte Federata Shqiptare e Futbollit. Ishin vetëm nja dy miq të mbetur nga dikur, ndërkohë që duhet ta kishin mbushur tribunën e vogël të fushës kryesore, ku u improvizua edhe një ndeshje futbolli… Gjithsesi, për ne të tjetër ishte vërtetë një republikë futbolli.