Nuk ishte prova më e mirë e mundshme, por gjithsesi jemi në verë. Reali i Madridit zhgënjeu në daljen publike në Shtetet e Bashkuara, i mundur 3-1 nga rivali i përjetshëm, Bajerni, në Kupën Ndërkombëtare të Kampionëve. Bavarezët dominuan në “NRG Stadium” të Hjustonit, duke mos i lënë asnjë mundësi skuadrës së trajnerit Zinedin Zidan, edhe pse në fushë ishin Hazar, Kros, Modriç, Isko, Sergio Ramos, Varan apo Benzema.
Korenten Toliso, Robert Levandovski dhe Serg Gnabri shënuan për kampionen e Gjermanisë, ndërsa Madridi u përgjigj vetëm me anë të Rodrigos në minutat e fundit. Nuk bëri punë edhe kartoni i kuq për portierin bavarez, Sven Ulrajh në të 81-ën. Çfarë mund të thuhet për “galaktikët” e rinj të Zidanit? Justifikim nuk mund të ketë pasi niveli i përgatitjes është i njëjtë, me Bundesligën dhe La Ligën që nisin në të njëjtën ditë, 16 gusht.
Mediat spanjolle kritikuan dyshen e sulmit, Benzema-Joviç, me të parin që humbi dy raste të pastër, dhe me serbin që ishte tërësisht në hije. Kritikat bëhen edhe më të ashpra, duke pasur parasysh se Bajerni nuk ka bërë shumë përforcime në verë. Zidan është i shqetësuar edhe për unitetin e skuadrës, pasi ka lojtarë që duhet të largohen, por kjo nuk po ndodh.
Rasti më tipik është ai i Garet Bejlit, yllit nga Uellsi, që nuk bën pjesë në planet e trajnerit. “Sa më shpejt të largohet, aq më mirë është për të gjithë, – u shpreh Zidan për uellsianin, – nëse e bën nesër, edhe më mirë. Përsa i përket skuadrës, jam optimist, pasi kur të fillojë sezoni do të jemi gati”. Reali duhet të largojë Bejlin, por edhe lojtarë të tjerë, për të sjellë në rregull financat dhe për të pasur mundësi të synojë yllin e Mançester Junajtidit, Pol Pogba.
Sfidanti.al