Mes shkeljeve për të cilat Mançester Siti është shpallur fajtor përfshihen edhe çështje që lidhen me kontratën e Roberto Mançinit gjatë periudhës së tij në klub. Trajneri italian drejtoi Sitin nga viti 2009 deri në vitin 2013, duke fituar edhe titullin e Premier League në vitin 2012.
Sipas akuzave fillestare, të cilat Siti dhe Mançini i kanë mohuar, trajneri kishte dy marrëveshje paralele. E para ishte kontrata zyrtare me Mançester Sitin, ndërsa e dyta lidhej me klubin Al Jazira, në pronësi të Sheikh Mansour.
Sipas pretendimeve, marrëveshja me Al Jazira parashikonte pagesa të konsiderueshme për një rol konsulence që kërkonte vetëm disa ditë punë në vit. Kjo kontratë e dytë, sipas akuzave, do t’i siguronte Mançinit një shumë të ngjashme me atë që merrte nga kontrata zyrtare.
Në skemën e pretenduar përfshihej edhe kompania italiane e Mançinit, “Italy International Services”. Sipas akuzave, kjo kompani lëshonte fatura për shërbime konsulence, ndërsa fondet kalonin përmes strukturave të lidhura me pronarët e klubit. Pretendimi ishte se kjo mënyrë veprimi synonte të anashkalonte rregullat financiare të UEFA-s dhe Premier League.
Mançester Siti është shpallur fajtor për shkelje të shumta në një çështje shumë më të gjerë se ajo e kontratës së Mançinit, ndërsa rasti i trajnerit italian është përdorur si një prej shembujve të mënyrës se si akuzat pretendonin se funksiononte sistemi financiar i klubit.
Mançini u emërua trajner i Sitit më 19 dhjetor 2009 dhe në vitin 2012 i dha klubit titullin e parë kampion në Angli që prej vitit 1968. Megjithatë, pretendimet për pagesat e dyfishta kanë mbetur një prej pjesëve më të diskutuara të çështjes financiare që ka përfshirë klubin anglez.

