Dy herë në dy sezone ia doli të fitonte titullin dhe Fabio Kapelo mbetet një “mbret” në klubin mbretëror, edhe pse jo për stilin e lojës. Trajneri italian dëgjohet mirë në Madrid kur flet dhe jep këshilla, dhe besohet se do të analizohet mirë nxitja për presidentin Perez. “Nëse do të isha në krye të Realit, do të merrja menjëherë Ikardin”, – ishin fjalët e 72-vjeçarit.
“Ikardi është një mjeshtër në zonën e rreptësisë si pak të tjerë, – tha italiani, – e nuhat dhe e ndjen golin, dhe nëse i jep 3 topa në zonë, arrin t’i godasë të tre. Do të ishte zëvendësuesi më i mirë i Kristiano Ronaldos”. Kapelo thotë se është tifoz personal i Ikardit, një sulmuesi të rritur në Akademinë e Barcelonës dhe që sot luan për Interin. Nuk mund të thuash lehtë se trajneri gabohet, pasi flitet për një njeri që ka fituar 9 tituj në 16 vjet karrierë në stol, si dhe 4 tituj si lojtar. Me Realin, ai doli kampion në 1997 e 2007.
Sfidanti.al