Raporti i UEFA-s: Tifozët në Shqipëri prekin fundin

Shqipëria është pozicionuar si vendi më i keq nga UEFA, sa i përket sjelljes së tifozëve në stadiume. Raporti mjaft shqetësues është publikuar dje dhe përfshin edicionin 2024-2025. Dhe pse numri i tifozëve nuk është i lartë në stadiume, me përjashtim të ndeshjeve të Kombëtares, sërish UEFA konsideron fakt se sjellja e tifozëve shqiptarë është më e keqja ndër vendet e Europës. Vetëm tifozët në stadiumet e Shqipërisë kanë një vlerësim poshtë notës 7, pikërisht 6.774. Bëhet fjalë për 66 ndeshje të vlerësuara gjatë edicionit të kaluar, që japin këtë mesatare.

UEFA dërgon një delegat për çdo ndeshje që organizon, i cili më pas jep vlerësimin e tij. Në fund të renditjes së publikuar me 53 shtete, ndodhet po ashtu Kroacia, Serbia dhe Bosnjë Hercegovina. Vende këto që gjithsesi kanë vlerësime më të larta se 7. Kosova pozicionohet në vendin e 41-të me vlerësimin mesatar 7.75 për 73 ndeshje të zhvilluara. Ndërkohë në krye të listës për sjellje të tifozëve janë Ishujt Faroe, Moldavia dhe Kazakistani.

sfidanti.al