Ishte derbi mes kryesuesve dhe kampionëve. U luajt në stadiumin “Filipi II” të Shkupit dueli i kreut në Superligën e Maqedonisë së Veriut, Vardar-Shkëndija Tetovë, dhe më shumë sesa rezultati, bëri jehonë sjellja e një pjese të tifozëve vendas. Tifogrupi “Komitët” dhe grupime të tjera brohoritën thirrje antishqiptare në rrugën e Shkupit përpara takimit, ku nuk mungonte shprehja “shqiptar i mirë, është shqiptari i vdekur”.
Natyrisht, “Komitët” nuk janë të vetmit në botë që sillen kështu, madje fenomeni po njeh rritje. Mediat nga Prishtina njoftuan se tifozë të Vardarit sulmuan edhe makina të parkuara pranë stadiumit, duke piketuar më shumë mjetet me targa të Kosovës.
Përsa i përket duelit të javës së 18-të, ai përfundoi 2-2, një rezultat jo i keq për Shkëndijën e Tetovës, pasi luante në fushë kundërshtare, por që nuk e lejoi t’i afrohej Vardarit që kryeson renditjen. Skuadra nga Shkupi ka 36 pikë ndaj 28 të tetovarëve, një diferencë prej 8 pikësh, që nuk do të jetë e lehtë të ngushtohet në 18 javë të mbetura.
Vardari kaloi në epërsi me anë të Darko Micevskit, por Omar Imeri barazoi për miqtë që në pjesën e parë. Pas pushimit, Ali Ademi i dha sërish avantazhin vendasve, veçse Shkëndija nuk u dorëzua. Skuadra e shqiptarëve realizoi për 2-2 në minutën e 65-të me të njëjtin autor, Omar Imerin, ndërsa trajneri Ernest Gjoka bëri këtë koment për ndeshjen.
“Mendoj se bëjmë ende gabime, dhe duhet t’i ndreqim, – u shpreh ai, – barazimi mund të quhet i mirë në një ndeshje të tillë, por ne duhej të fitonim. Kemi ende mundësi për titullin, por duhet të përmirësohemi, sidomos pas fushe”.
Shkëndija u përpoq ta fitonte ndeshjen në minutat e fundit, por nuk ia arriti qëllimit. Tetovarët kanë dalë dy herë radhazi kampionë, dhe do të synojnë ta fitojnë sërish kampionatin.
Sfidanti.al