Presidenti Demi i pakënaqur nga Partizani, por beson tek fitorja në derbi!

Nuk është nga ata që del shpesh në media. Presidenti i Partizanit, Gazmend Demi, përgjithësisht është i tërhequr, por gjithsesi një intervistë nuk mund ta refuzonte në prag të një derbi të veçantë. Ndaj Tiranës luhet për herë të parë në Arenën Kombëtare, dhe numri 1 i të kuqve është zot shtëpie.

Si e pret sfidën e radhës në Superligë? “Unë pres që të fitojmë, – shprehet ai, – mendoj se duhet të bëjmë ndeshjen e zakonshme, siç e kemi pasur traditë dhe të fitojmë. E di se një ditë seria mund të ndërpritet dhe mund të humbasim, por uroj që të mos jetë këtë herë”.

Partizani, sidoqoftë, nuk është se kënaqi edhe aq ndaj Bylisit. “E vërteta është se sidomos pjesa e dytë në atë ndeshje ishte katastrofë, – kritikoi presidenti, – lojtarët e dinë, shkova dhe i takova. Ata u justifikuan për problemet me tërmetin, fusha, por e vërteta është se nuk jam i kënaqur. Shpresoj ta kemi lënë prapa dhe tani të jetë ndryshe”.

Kampionët në fuqi kanë pasur edhe probleme disiplinore së fundmi. “Çdo ndërmarrje ka disiplinë, nuk mund të jetë ndryshe, – thekson numri 1 i klubit, – nuk mund të bëjmë siç duam, as unë që jam pronar dhe president, pasi fanela e Partizanit është e rëndë, është nga klubet më të mëdhenj në Shqipëri. Gjithsesi, mendoj se lojtarët janë të rinj dhe gabojnë, por i ngatërrojnë edhe menaxherët që për mendimin tim janë llapaqenë”.

Pas këtyre rezultateve, sa besim ka presidenti tek trajneri Lerda? “Pas ikjes së Gegës për arsye personale (se ne nuk do ta largonim kurrë), menduam të merrnim Lerdën nga shkolla italiane, – sqaroi Demi, – donim të bënim një hap më përpara. Mendoj se zgjedhja ishte e mirë, por ndoshta trajneri ka nevojë për kohë, sa të njohë kampionatin. Gjithsesi, do të gënjeja po të thoja se jam i kënaqur”.

Sfidanti.al