Interesim i jashtëzakonshëm për derbin, radhë për bileta nga tifozët e Partizanit dhe Tiranës!

Bëjnë mirë që të mos vonohen. Tifozët duhet të nxitojnë për të marrë biletat për ndeshjen kryesore të Superligës, atë mes Partizanit dhe Tiranës, ndërsa shitja vazhdon me shpejtësi. Vetëm ditën e parë, të mërkurën, u blenë mbi 4 000 të tilla në të gjitha tribunat, ndërsa radhat po shtohen gjithnjë e më shumë.

Nga klubi i Partizanit u ndoq një taktikë e caktuar, duke u nxjerrë në treg fillimisht biletat e tribunave të katit të parë, të pjesës së poshtme të stadiumit, pasi ekzistonte frika se njerëzit do të prenotonin katin e dytë, dhe i pari mund të mbetej pa shitur.

Gjithçka është e lirë, për tifozë dhe dashamirës të të dyja skuadrave, me përjashtim të një pjese të biletave që e marrin grupimet kryesore të ultrasve. Në radhë ishin përkrahës të flaktë të të kuqve dhe të bardhebluve, por ndryshe nga sa ndodh nëpër tribuna, ata as nuk u shanë dhe as nuk u grindën me njëri-tjetrit.

Sidoqoftë, tifozët shprehën dëshira të ndryshme për rezultatin, në bazë të ekipit që kanë për zemër. Ata të Tiranës mbeten ende me shpresë, pavarësisht humbjeve. Tifozët e Partizanit ndërkaq ndihen shumë të sigurt. Besohet se shitja e biletave do të vazhdojë deri pak përpara ndeshjes, dhe se radhët do të jenë të gjata.

Sfidanti.al