Lajmi se Premier League shiti të drejtat televizive për një shifër të frikshme që vërtitet te 7.8 miliardë euro, ka bërë menjëherë xhiron e botës. Sa larg është Serie A, Ligue 1, madje edhe La Liga e Bundesliga që me vështirësi përpiqen të rivalizojnë por ajo që në realitetin tonë të vogël shqiptar bën përshtypje edhe përpjestimi i zhdrejtë që ka në marketing vit pas viti futbolli ishullor krahasuar me atë shqiptar. Nëse në ishull deklaruan me krenari se këtë herë të ardhurat janë plot 4 % më të larta se 4-vjeçari i kaluar, në Shqipëri llogaria me siguri është në kahun e kundërt.
Të drejtat televizive që iu hoqën një transmetuesi me po aq zhurmë sa iu dhanë, si pa e kuptuar iu dorëzuan vetëm 4 apo 5 ditë nga starti i sezonit, një televizioni tjetër. Pretendojmë shumë nëse kërkojmë transparencë e aq më tepër të bëjmë krahasime nëse ka progres apo regres në krahasim me kontratën paraardhëse nga e cila për më tepër nuk dihet nëse është arkëtuar ndonjë qindarkë. Në këtë aspekt, krahasimi me Premier League qëndron, por vetëm nëse e bëjmë në kahe diametralisht të kundërt.
Nga Pirro Bardhyli