Prag, Napoli-Juventus: Sa shumë mungesa për vendasit në stadiumin “Maradona”!

E provuan pak ditë më parë dhe përfundimi dihet. Juventusi e mundi Napolin 2-0 në finalen e Superkupës së Italisë, ndërsa këtë të shtunë të njëjtat skuadra do të jenë përballë, këtë herë për Serinë A. Luhet në orën 18:00 në stadiumin “Maradona” të Napolit, dhe presioni më i madh është mbi trajnerin vendas, Xhenaro Gatuzo, i cili mund të shkarkohet nëse humbet sërish.

Napolitanët janë në krizë rezultatesh dhe kanë zbritur në vendin e gjashtë në renditje, si dhe janë eleminuar në gjysmëfinale të Kupës së Italisë me humbjen e mesjavës 1-3 në fushën e Atalantës. Gatuzo u ngacmua për fatin e tij pas humbjes pikërisht me Atalantën.

“Nuk e di nëse kjo do të jetë mundësia ime e fundit, – tha ai, – këtë duhet t’ia kërkoni klubit. Unë jam përgjegjësi kryesor për situatën, jam kapiteni i anijes, por unë nuk mund të mendoj mundësinë e fundit apo të parafundit. Unë duhet të punoj sa më mirë, të përgatis skuadrën për ndeshjen dhe t’u jap besim lojtarëve. Do ta provoj deri në fund”.

“Rrezik për Gatuzon, – titullon “Il Korriere delo Sport”, që vazhdon se “Rino nuk mund të gabojë! Pirlo: Me vjen keq, por duhet të fitoj! Në orën 18:00, supersfida në stadiumin “Maradona”. Napoli-Juve vlen më shumë se tri pikë!”

E përditshmja “Tutosport” e Torinos, padyshim është në krahun e Juventusi: “Shpirti i Pirlos, ankth për Arturin! Në orën 18:00, Napoli-Juve, trajneri bardhezi ka një mesazh për mikun Gatuzo: Më vjen keq, por më duhet që të fitoj!”

Në të kundërt, Juventusi i Pirlos është në formë shumë të mirë. Vetëm humbja 0-2 në Milano me Interin mbetet notë negative, ndërsa gjithçka tjetër ka shkuar mbarë, siç ndodhi me barazimin 0-0 po me Interin në Torino që e kualifikoi në finalen e Kupës. Shënon apo jo Ronaldo, kampionët janë në formën më të mirë të sezonit dhe synojnë titullin. Pirlo e vlerëson kështu ndeshjen.

“Po, një ndeshje e stilit të Superkupës, – tha trajneri bardhezi, – Një ndeshje e rëndësishme për të dyja skuadrat. Napoli dhe Juvja janë dy ekipe të mëdhenj dhe tensioni do të jetë i pranishëm. Ne vijmë pas një rezultati pozitiv, ndërsa ata nga një rezultat jo aq i mirë. Duhen tri pikë dhe kjo do të ndikojë e do të ndihet gjatë ndeshjes”.

Mungesat do të jenë të mëdha, sidomos për Napolin, që nuk do të ketë Mertensin, Kulibalin, Gulamin, Manolasin, Demen dhe mbrojtësin e kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj. Juventusit i mungojnë Dibala e Ramsej, ndërsa Artur është në dyshim.

Sfidanti.al