Prag Liverpul-Man. Junajtid, fitore rutinë apo surprizë në “Anfild”?!

Nëse ka një ekip që ka ditur të fitojë në këtë stadium është pikërisht ai i “djajve të kuq”. Mançester Junajtidi është skuadra që ka pasur më shumë sukses në “Anfild” gjatë periudhës së Premier Ligë, veçse sot kohët kanë ndryshuar. Dy ekipet ndeshen në orën 21:00  në përballjen e Premier Ligës, dhe suksesi i fundit i miqve është arritur në vitin 2006.

Junajtidi ka qenë në krizë gjatë këtyre muajve, pavarësisht fitores në fundjavë falë 3 golave të Kristiano Ronaldos. “Djajtë e kuq” kanë nevojë për pikë sepse synojnë kualifikim në Champions sezonin e ardhshëm. Liverpuli, ndërkaq, mund të quhet skuadra më e mirë në Angli gjatë vitit 2022.

Ekipi i trajnerit Klop ka fituar Kupën e Ligës, është në finalen e Kupës së Anglisë, dhe në gjysmëfinale të Championsit. Po ashtu, është vetëm 1 pikë prapa kreut të Premier Ligës që mbahet nga Mançester Siti. Për të fituar titullin duhen fituar të gjitha ndeshjet, duke nisur nga kjo e sotmja ndaj Junajtidit. Liverpuli nuk ka mungesa dhe Klopi mund të zgjedhë formacionin më të mirë të mundshëm. Mançester Junajtidi do të ketë mjaft mungesa. Fred, Kavani, Shou, Varan dhe Mektominai janë që të gjithë të dëmtuar.

Liverpuli: Alison, Aleksandër-Arnold, Matip, Van Dajk, Robertson, Henderson, Fabinjo, Tiago Alkantara, Salah, Firmino, Mane.

Man. Junajtidi: De Gea, Uan-Bisaka, Lindelof, Megajer, Tejes, Matiç, Pogba, Elanga, Fernandes, Sanço, Ronaldo.

Sfidanti.al