Post Europiani, “makineria” Gjermani punon për Kupën e Botës!

Kush ishte favorit në Kampionatin Europian? Gjermania! Po në Kupën e Botës në Rusi kush pritet të jetë favorit? Përsëri Gjermania. “Makineria e futbollit” e drejtuar nga Joakim Lëv ka lënë pas zhgënjimin e eleminimit në gjysmëfinale nga Franca në Euro 2016, dhe po shkon me fuqi të plota drejt finaleve të Botërorit. Suksesi 4-1 në fushën e Azerbajxhanit ishte i pesti në pesë ndeshje në grupin C, me 15 pikë të siguruara me 20 gola të shënuar (4 për ndeshje) dhe vetëm një të pësuar (0.20 për ndeshje) Andreas Shyrrle shënoi dy herë, Tomas Myler dhe Mario Gomez ishin autorët për të tjerët, ndërsa azerët e Berti Fogstit i dhanë kënaqësi publikut në Baku me barazimin e përkohshëm të Nazarovit.

Rivale në grup (nëse mund të quhet), Irlanda e Veriut që fitoi 2-0 ndaj Norvegjisë në Belfast, me golat shënuar nga Uord dhe Uashington. Çekia nuk e pati problem në San Marino me suksesin 6-0.

Skuadra tjetër e rëndësishme e mbrëmjes, Anglia, ka detyrë më të vështirë se Gjermania, pasi duhet të largojë zhgënjimin e eleminimit në turin e dytë nga Islanda në Francë. Gjithsesi, nën drejtimin e trajnerit simpatik, Garet Sauthgejt, arriti një tjetër fitore, 2-0 ndaj Lituanisë në “Uembli” me golat e të rikthyerit Xhermen Defo, dhe të sulmuesit të Leisterit, Xhemi Vardi. Anglezët kryesojnë grupin F me 13 pikë, pra me vetëm 1 barazim në 5 ndeshje, ndërsa rivalët kanë mbetur prapa. Sllovakia ka 9 pikë, Sllovenia 8, ndërsa Skocia arriti të ngjitej në 7 pikë pikërisht me suksesin 1-0 ndaj sllovenëve. Dy shtyllat më në fund ia lanë vendin golit në minutën e 88-të nga Kris Martin.

E rëndësishme është bërë edhe Polonia. E eleminuar për fare pak gjë nga Portugalia në Europian, skuadra e udhëhequr nga Robert Levandovski kaloi në Podgoricë me Malin e Zi, 2-1. Levandosvki e kaloi në epërsi, pastaj malazezët barazuan me anë të Stefan Mugoshës, por polakët ia dolën me rrjetën e Pishçekut në 82’, dhe kryesojnë grupin E me 13 pikë, gati dyfishin e Malit të Zi që është i dyti (7 pikë). Danimarka mori pikë në Rumani (0-0) dhe ka po 7 pikë.

Sfidanti.alangli lituani 2-0