Populli në festë në Argjentinë, kampion është Boka Juniors!

Ishte ndoshta një titull që nuk pritej dhe nuk shpresohej, pasi rivali kryesor dukej tepër i fortë. Përkundër parashikimeve, dhe përballë ekipit më të fortë të Argjentinës, Boka Juniors realizoi objektivin e madh duke fituar kampionatin më emocionues të viteve të fundit. Një gol i Karlos Tevezit 18 minuta para fundit i dha fitoren në “La Bombonera” ndaj Gimnasias së La Platës. Boka e përfundoi Superligën me një pikë më shumë sesa River Plejti, që papritur u mbajt në barazim 1-1 në fushën e Atletikos së Tukumanit. Ky ishte titulli i 34-ët për atë që quhet “ekipi i popullit”, duke qenë më pranë rekordit të Riverit me 36 tituj në Argjentinë. Përpara ndeshjes, Tevez puthi në buzë Maradonën dhe sqaroi më pas se këtë e kishte bërë për fat. Duket se fati ishte me të, pasi shënoi golin, ndeshja u fitua dhe Riveri u ndal në barazim, pikërisht në javën e fundit të kampionatit.

Sfidanti.al