Nuk mund të thotë ndryshe, dhe është një rast për të lënë shenjën e tij në historinë e Juventusit si trajner. Andrea Pirlo ka fituar shumë si futbollist, veçse tani gjithçka është fshirë, të paktën sa kohë që të jetë aktiv në trajning, dhe detyra imediate është fitorja e Kupës së Italisë. Finalja ndaj Atalantës do të luhet sonte në orën 21:00 në stadiumin “Mapei” në Rexho Emilia (stadiumi i Sasuolos). “Është një trofe që duhet ta fitojmë, – thotë Pirlo, – le të mendojmë vetëm për këtë. Finalen e kemi fituar në fushë, ndërsa prania e tifozëve është diçka e shkëlqyer. Ndoshta jemi skuadër që kemi nevojë më shumë se të tjerat për publikun”.
Përsa i përket të ardhmes dhe gjërave të tjera, Pirlo nuk komenton. “Mendoj vetëm sesi të bëj sa më mirë punën time, – shprehet ai, – për të ardhmen do të ketë kohë. Le të fitojmë këtë ndeshje, pastaj do të mendojmë për javën e fundit të kampionatit, për kualifikimin në Champions e për gjithçka”. Përsa i përket formacionit, nuk luan Bonuçi, dhe në qendër të mbrojtjes do të jenë De Ligt e Kielini, ndërsa në sulm në krah të Ronaldos pritet të jetë Dibala, me Moratën në stol dhe Kulushevskin që mund të luajë në krah.
Sfidanti.al