“Përbindëshi” Ronaldo i afrohet kuotës së magjishme të 700 golave!

Karriera e tij është e personifikuar si shënues. Kristiano Ronaldo është vetëm dy gola larg një shifre që shumë pak lojtarë në histori  kanë mundur ta arrijnë e ta kalojnë. Legjenda e Portugalisë është pranë numrit të 700 rrjetave në karrierën e tij të lavdishme, dhe gjithçka mund të bëhet realitet në ndeshjen eleminatore të radhës në Europian, atë ndaj Luksemburgut.

Luhet në Portugali dhe CR7-ta i ka të gjitha shanset që të realizojë më shumë se një herë. Në moshën 34-vjeçare ai ka shënuar 93 rrjeta me ekipin kombëtar, për të cilin ka luajtur plot 160 ndeshje. Me klubet ka 605 gola të tjerë, ku standardin më të lartë e pati me Realin. Për madrilenët tundi rrjetën plot 450 herë, një shifër më e madhe se numri i takimeve të luajtura në 9 sezone në “Santiago Bernabeu”. Pjesën tjetër të golave i ka për Sportingun e Lisbonës, Mançester Junajtidin, dhe dy sezonet e fundit për Juventusin në Itali.

Vetëm pesë futbollistë kanë shënuar më shumë në karrierë sesa Ronaldo. Rekordin e mban sulmuesi çeko-austriak Jozef Bican me 805 gola, ndjekur nga legjenda të tjera si Romario, Pele, Pushkash e Gerd Myler.

Sfidanti.al