Gjithnjë ka bërë atë që ka ditur më mirë. Çdo trajner ka filozofinë e tij, dhe Edi Reja nuk bën përjashtim, përkundrazi, por ka raste kur edhe një njeri i fortë si ai mund të detyrohet të ndryshojë. Nga skema e tij e parapëlqyer, 3-5-2, pritet që italiani të kalojë në 4-4-2, kur kombëtarja shqiptare të dalë në fushë ndaj Turqisë në stadiumin e Stambollit. Përse 73-vjeçari gjykon se ka ardhur momenti të luhet kështu?
Së pari, për shkak të mungesave të rëndësishme, si Mavraj e Hysaj, që ia ulin përvojën repartit mbrojtës, dhe së dyti, sepse Turqia është kundërshtar shumë i fortë, që për më tepër luan në fushën e saj. Reja mësohet se ka përcaktuar, pak a shumë, edhe formacionin, që nuk pritet të ketë ndryshime të mëdha në krahasim me skemën 3-5-2.
Veseli mendohet të luajë në mbrojtje djathtas, dhe Gjimshiti majtas, me Ismajlin e Dermakun në qendër. Gjasula e Bare do jenë mesfushorët e qendrës, me Memushajn djathtas dhe Lenjanin majtas, pra i sakrifikuari pritet të jetë Odise Roshi, që mund të aktivizohet në pjesën e dytë, siç ndodhi ndaj Islandës. Në sulm, përparësi ka dyshja Cikalleshi-Manaj, ndonëse Reja mund të bëjë edhe ndryshime të minutës së fundit.
Trajneri i ka studiuar ndeshjet e Turqisë, si ndaj Francës e Moldavisë, por sidomos së fundi ndaj Andorrës, ku ekipi turk fitoi vetëm në minutën e parafundit.
Sfidanti.al