Vlerësimi personal nuk ndryshon, edhe pse shumëkush do të thotë se më i miri i të gjitha kohëve do të quhej Diego Armando Maradona. Pele gjithnjë e ka quajtur veten si Numrin 1 në historinë e futbollit botëror, veçse gjykimi i tij për dy yjet e epokës së tanishme, duket kundër rrymës. Gjithsesi, fjalët e tij janë pak si konfuze. “Mendoj se më i miri sot për sot është Kristiano Ronaldo, – thotë “Mbreti” i futbollit, – mendoj se është më i miri sepse është më i qendrueshëm, por gjithsesi nuk mund të harrohet një si Mesi. Por, ai nuk është një sulmues”.
Duket se Pele e jep vlerësimin më shumë në lidhje me rolin në fushë, pra me Ronaldon që sot luan si sulmues, dhe Mesin që është më i tërhequr në mesfushë. Gjithsesi, numri i golave të dy yjeve të sotëm është thuajse i barabartë, sidomos nëse merr parasysh se Kristiano është 1 vit e gjysmë më i madh në moshë sesa kapiteni i Barcelonës.
Në total, Mesi ka 697 gola në karrierë, plus 289 asistë në 856 ndeshje, dhe këtu përfshihen edhe paraqitjet me klubin, edhe me kombëtaren.
Ronaldo, ndërkaq, ka 725 gola e 220 asistë në plot 1 000 ndeshje, me Sportingun, Mançester Junajtidin, Realin e Madridit, Juventusin e Portugalinë, që do të thotë se si mesatare Mesi është më lart, me 0.814 gola për ndeshje, ndaj 0.725 golave për ndeshje të Ronaldos.
Në listën e yjeve më të mëdhenj të futbollit botëror është edhe Diego Armando Maradona, madje shumëkush e quan argjentinasin si numrin 1 të historisë.
Sfidanti.al