Mungesa e një qëndërsulmuesi me peshë, eksperiencës dhe fati por ndoshta edhe mungesa e bindjes se mund të kishte kaluar këtë mal të lartë. Faktorë vendimtarë në eleminimin e Partizanit që si për ironi, në sfidën më të rëndësishme të historisë luajti ndoshta ndeshjen më të mirë të viit të fundit por sërish doli i humbur. Kampionët e Shqipërisë mbyllën rrugëtimin europian edhe pse për 25 apo 30 minuta ëndërruan se Astana ishte një kockë e fortë por jo e pakalueshme.
Goli i pjesës së parë ndezi shpresën por ndoshta injektoi në mënyrë të gabuar edhe më shumë optimizëm, se fitorja mund të thellohej. Këmbëngulja e të kuqve për të thelluar avantazhin pa u ndalur për të analizuar më me qartësi një sfidë delikate nga e cila mund të humbisnin shumë, e bëri disi kaotike skuadrën e drejtuar nga Zoran Zekic.
Në konferencën e shtypit, trajneri jo rastësisht e vendosi theksin në golin e barazimit që sipas tij erdhi në një moment të papritur e madje pak minuta pasi ai ksihte punuar me skuadrën në dhomën e zhveshjes për ta bërë të mendonte më shumë e vraponte më pak. Dhë është pikërisht kjo mungesë eksperience që i tregoi rrugën drejt tunelit europian Partizanit, pasi në krahun tjetër, kazakët kanë dhe ndoshta me tepricë stazh pune në garat europiane.
Një temë tjetër e prekur nga Zekic në konferencë ishte edhe dëmtimi i Christian Mba në momentin kyç të sezonit sepse të luash pa një qëndërsulmues në formë në të tilla duele peshon shumë dhe kjo u reflektua si në Astana ashtu edhe në Elbasan. Partizani gaboi gola pothuajse të sigurt që në 180 minuta mund ta anonin peshoren nga krahu i kuq. Sot kampionët e Shqipërisë duhet të kthehen në realitetin e ri e me këmbë në tokë, Europa e ëndrrës së madhe është larguar përfundimisht, tani radhën e ka Kategoria Superiore.